Një mot i ligë ka përfshirë sot Shqipërinë, ku si pasojë janë lënduar dy të rinj në qytetin e Kuçovës dhe një 40-vjeçar në Dhërmi.
Dy ngjarje të rënda aksidentale kanë ndodhur si pasojë e stuhisë së erës në Kuçovë këtë të enjte, ku janë plagosur një djalë 26 vjeç dhe një 17-vjeçare, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Berat.
Djali, i cili ishte duke punuar për montimin e një paneli diellor në shtëpinë e një të afërmi të tij, ka rënë nga soleta e shtëpisë nga era e fortë.
Rrëzimi nga një lartësi rreth tre metër i ka shkaktuar të riut nga fshati Tapi në rrethin e Kuçovës fraktura dhe shembje në të gjithë trupin.
Majkëll Vrapi është gjetur pa ndjenja në tokë dhe është transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat. Ai aktualisht ndodhet në sallën e operacionit në Repartin e Kirurgjisë, ndërkohë që mjekët deklarojnë se gjendja e tij është e rëndë, raporton tch.
Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në afërsi të Spitalit të Kuçovës. Si pasojë e stuhisë së fortë, një depozitë uji është shkëputur nga çatia dhe ka rënë sipër një vajze 17 vjeç, e cila ishte duke kaluar në rrugë.
Vajza me inicialet S.K, është ngritur nga kalimtarët e rastit dhe është dërguar në spital. Edhe 17-vjeçarja ndodhet në Spitalin Rajonal të Beratit, ku po ekzaminohet nga mjekët. Ajo është jashtë rrezikut për jetën, edhe pse me fraktura dhe plagë të shumta.
Pak minuta më vonë, një 40-vjeçar banues në Korçë si pasojë e erës së fortë ka rënë nga një objekt dykatësh në Dhërmi, ndërsa po punonte.
“Më datë 31.03.2022, në fshatin Dhërmi, Himarë, duke punuar, ka rënë nga një objekt dykatësh, shtetasi K. H., 40 vjeç, banues në Korçë, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes”, sipas policisë.
Në Vlorë era e fortë ka riaktivizuar vatrën e zjarrit në pikën e grumbullimit të mbetjeve të qytetit të Vlorës. Pavarësisht rrethanave natyrore, ekipet e shërbimeve janë në vendngjarje për ta mbajtur situatën nën kontroll.