Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 54 pacientë të prekur nga virusi COVID-19.
Infektologu Valbon Krasniqi ka thënë për Telegrafin se prej tyre 3 pacientë janë në gjendje kritike.
“54 pacientë i kemi për momentin me COVID-19 në Klinikën Infektive. 11 prej tyre janë me oksigjen kurse 3 janë në repartin intensiv të klinikës sonë në gjendje shumë të rëndë, kritike”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq edhe Klinika Infektive përmes një njoftimi ka bërë të ditur se 7 raste janë në pritje të rezultateve, ndërsa 8 raste janë testuar dhe kanë rezultuar negativ.
“Në Klinikën Infektive të QKUK-së, sot më 14.04.2020 janë të shtrirë për mjekim 54 pacientë të sëmurë nga Covid-19.
Në pritje të rezultateve janë 7 raste, ndërsa 8 raste janë testuar dhe kanë rezultuar negativ për Covid 19.
Nga 54 raste të infektuar me Covid 19:
• 41 raste janë në gjendje stabile;
• 10 raste janë në gjendje të rëndë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive
• Në mjekimin intensiv vazhdojnë të jenë në gjendje kritike tre (3) pacientë, prej të cilëve njeri është në oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive si dhe dy pacientë janë në ventilim mekanik.
Sa i përket stafit të Klinikës Infektive, nuk ka raste të reja të infeksionit brenda-spitalor”, thuhet në njoftim.
Mbrëmë në vendin tonë janë shënuar edhe 15 raste të reja me coronavirus duke quar në 377 numrin e përgjithshëm të të prekurve.
Kurse numri i pacientëve të shëruar ka shkuar në 63, dhe tetë persona deri më tash kanë humbur jetën të cilët kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.
Ministria e Shëndetësisë mbrëmë ka vendosur masa të reja të kufizimit të lëvizjes, duke bërë kështu që qytetarët nga nesër do të lëvizin në orare të caktuara në bazë të numrit të parafundit personal. /Telegrafi/