Nesër mbushen tre muaj prej përmbytjeve ogurzeze në Shkup, ku humbën jetën 22 persona, e ata që u dëmtuan materialisht akoma nuk kanë arritur t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Nga qeveria dhe komunat i’u ishin premtuar dëmshpërblim prej 10%, dhe atë e morën, vetëm 30000 denarë është shuma që ata kanë marrë nga qeveria, por në bazë të dëmeve të gjithë pyesin se si do t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre.
Disa nga banorët e Singeliqit, Stajkovcit, Haraçinës, pyesin se pse vlerësimi i bërë nga komuna vlen vetëm për objektet brenda shtëpisë dhe jo edhe për shtëpitë e dëmtuara nga jashtë.
Një banor i Singeliqit thotë se ka marrë dëmshpërblim prej 1300 euro, ndërsa në shtëpinë e tij nuk ka kushte për banim, dhe tre muaj jeton si qiraxhi, dhe si i panunësuar ai nuk ka para për qiranë.
Se pagesa e kompensimit të dëmeve që shkaktuan vërshimet po shkon ngadalë, e konfirmon edhe raporti fiskal i Ministrisë së Financave, në të cilin thuhet se nga 36 milionë euro të siguruara me rebalans të buxhetit, deri 31 tetor janë paguar vetëm 22% e parave./Telegrafi/