Sot ka filluar asfaltimi i rrugës dhe oborrit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nexhat Çuni” në Mitrovicë, tre muaj pas përurimit të QKMF-së.
Asfaltimi do të bëhet deri tek rruga kryesore “Bislim Bajgora”, kështu ka bërë të ditur drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani.
“Besoj që shtresa e parë e asfaltit, sot kryhet deri në fund të ditës. QKMF-ja do të ketë qasje me rrugë të rregulluara, nga rruga ‘Bislim Bajgora’ deri në oborr”, ka thënë Shabani për Telegrafin.
Më tej, ai ka bërë të ditur se gjatë muajit prill pritet të fillojnë shërbimet mjekësore në QKMF-në e re, shkruan Telegrafi.
“Besoj që gjatë muajit prill do të fillojnë shërbimet mjekësore në QKMF-në e re, një datë të caktuar nuk mund të jap. Në ndërkohë, zhvendosja e stafit dhe shërbimeve do të bëhet përmes një plani dinamik, gradual, hap pas hapi, në mënyrë që shërbimet mjekësore të mos ndërprehen në asnjë minutë”, ka përfunduar drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani.
Më 06.01.2025 është përuruar Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Nexhat Çuni” e re në Mitrovicë, e cila është tetë mijë e 500 metra katror, derisa ka podrumin, katin përdhesë dhe tre kate.
Vlera totale e këtij investimi ishte 6 milion e 16 mijë e 853 euro, transmeton Telegrafi.
80 për qind e shumës ishte donacion nga shoqata “Jetimat e Ballkanit” dhe 20 për qind investim i Komunës së Mitrovicës.
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani, pati thënë se kjo qendër mjekësore ofron kushte të mira të punës, hapësira të mjaftueshme dhe qasje të lehtë për pacientët.
Edhe atëherë, Telegrafi pati raportuar se përkundër përurimit të QKMF-së, rruga dhe oborri nuk ishin të asfaltuar. /Telegrafi/