Site icon Telegrafi

Më tre mars pritet vendimi i gjykatës për vulën e PD-së, Berisha: Po të duam për tre minuta jemi brenda në parlament

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha kërcënoi me një gjuhë të drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla se do të mbajnë përgjegjësi personale nëse ndikojnë në vendimin e gjykatës për vulën e PD-së.

Berisha tha se nëse në tre mars gjykata vendos sipas udhëzimeve të maxhorancës, për tre minuta protestuesit do të jenë në sallën e paralmentit.

“Taulant Balla bëre mirë qe e the tani në parlament, Edi Rama dhe ti do jeni përgjegjës personal dhe nuk ka forcë që t’u mbrojë, lërini këta që keni vendosur këtu se po të duam për tre minuta jemi brenda në parlament. Ikni se nuk shkojmë ne, kemi rregullin tonë ne. Se po vendosëm ne jemi në sallë, asgjë nuk na pengon. Ndaj të vazhdojmë këtë betejë”, tha Berisha.

“Tre marsi është ditë fitoreje, ditë e çdo shqiptari, dita që ne bëjmë betejën për të ardhmen tonë dhe për fëmijët tanë. Në çdo rast marshi drejt Surrelit do të jetë marshi ynë”, shtoi Berisha.

Ndërkohë në anën tjetër ka nisur me tensione seanca plenare e kësaj të enjteje. Deputetët e PD-së janë përplasur me pounonjësit e Gardës në hyrje të parlamentit.

Shkak është bërë moslejimi i deputetëve të përjashtuar për të marrë pjesë në seancë.

Nga pamjet dëgjohen deputetët të cilët i thonë punonjësve të Gardës të mos i prekin me dorë.

“Hape derën. Tërhiqi çunat se do futemi në mbledhje byroje. Mos prek deputetët me dorë ti ore”, dëgjohet të thotë Vokshi.

Ndërkohë deputeti Luan Baçi dëgjohet të thotë me tone të larta: “Më kape me dorë! Nuk lejohet të kapësh me dorë një deputet.”

Kujtojmë se nga Sekretariati i Etikës janë përjashtuar këtë javë 6 deputetët të Partisë Demorkatike të cilët bllokuan foltoren gjatë seancës së kaluar.

Deputetja Greta Bardeli, ishte ajo e cila u përjashtua më pak ditë se gjithë të tjerët, vetëm 3 ditë. Ndërkohë që deputetët Edmond Spaho, Elda Hoti, Oerd Bylykbashi dhe Sorina Koti u përjashtuan me 10 ditë.

5 ditë u përjashtua edhe deputetja Linditia Metaliaj.

Ndërkohë që do të mungojnë në seancë për shkak të përjashtimit 10-ditor nga java e kaluar edhe Sali Berisha dhe deputeti Flamur Noka. /Telegrafi/

 

Exit mobile version