Të paktën tre klube kanë treguar mbështetje për qëndrimin e Manchester Cityt kundër rregullave të shpenzimeve të Ligës Premier.
Sipas mediumit Mail Sport, Chelsea, Aston Villa dhe Newcastle (disa burime përfshijnë edhe Evertonin) besojnë se kampionët kanë shqetësime të vlefshme përpara seancës dëgjimore të së hënës, ku City do të sfidojë rregullat që kufizojnë sa shumë kompani të lidhura me pronarët e klubeve mund të shpenzojnë për marrëveshjet e sponsorizimit.
Chelsea ka lëshuar një deklaratë duke kundërshtuar rregullat e përditësuara për transaksionet e palëve të lidhura (APT), veçanërisht në lidhje me pronësinë e shumë klubeve.
Bashkëpronari i Aston Villa, miliarderi egjiptian Nassef Sawiris, thuhet se është i afërt me kryetarin e Cityt, Khaldoon Al Mubarak dhe ndan zhgënjimet për kufijtë e shpenzimeve.
Neëcastle, duke abstenuar nga votat e fundit, mund ta shohë një fitore të Cityt si të dobishme për shkak të pronësisë së tyre saudite dhe marrëveshjes ekzistuese të sponsorizimit me firmën saudite Sela.
Ndërkohë, 10 deri në 12 klube, duke përfshirë Manchester United, Arsenal, Fulham, Wolves, Brighton dhe Tottenham, kanë mbështetur rregullat e Ligës Premier. Disa kanë dhënë deklarata të dëshmitarëve, ndërsa të tjerët kanë dërguar letra. /Telegrafi/