Site icon Telegrafi

Tre ish-presidentët amerikanë dalin vullnetarë: Do ta marrim vaksinën para kamerave për të dëshmuar që është e sigurt

Ish-presidentët amerikanë Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton, janë shprehur të gatshëm që në mënyrë vullnetare dhe atë publikisht para kamerave të marrin vaksinën kundër COVID-19, në momentin që Agjencia amerikane e Ushqimit dhe Barnave ta miratojë për përdorim, shkruan CNN.

Tre ish-presidentët shpresojnë me këtë veprim do të rrisin vetëdijen dhe besimin në sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës, duke dërguar kështu një mesazh të fuqishëm në kohën kur autoritetet shëndetësore po mundohen të bindin qytetarët të vaksinohen, transmeton Telegrafi.

Freddy Ford, ish-shefi i stafit të Bushit, ka thënë për CNN se presidenti i 43-të i SHBA-ve e ka kontaktuar Dr Anthony Faucin – drejtorin e Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Ngjitëse dhe eksperten e sëmundjeve infektive Dr. Deborah Birx, për të parë se si mund të ndihmojnë në promovimin e vaksinës.

Në anën tjetër shefi i zyrës për informim i ish-presidentit Clinton, tha për CNN se edhe ai është i gatshëm ta marrë vaksinën publikisht vetëm që ajo sa më shumë të promovohet.

“Presidenti Clinton sigurisht se do ta marrë vaksinën sapo ajo të jetë e disponueshme për të. Dhe këtë do ta bëjë publikisht, duke inkurajuar amerikanët ta bëjnë të njëjtën gjë”, ka shtuar Angel Urena.

E Obama gjatë një interviste dhënë për SiriusXM me Joe Madison, tha se nëse Fauci thotë se vaksina kundër coronavirusit është e sigurt, atëherë ai i beson atij.

“Njerëzit sikur Anthony Fauci, të cilin e njoh unë dhe kam punuar me të, i besoj plotësisht. Nëse Fauci më thotë se kjo vaksinë është e sigurt dhe mund ta marrë për të ma rritur imunitetin, sigurisht se do ta marrë”, tha Obama. /Telegrafi/

 

Exit mobile version