Qendra Kinematografike e Kosovës po vazhdon suksesshëm depërtimin në arenën ndërkombëtare të filmit.
Së fundmi, tre filma të tjerë nga Kosova janë bërë pjesë e Festivalit të Filmit në Sarajevë.
Filmi “Fran and Verka: or a usual day in an abandoned village”, u dha premierë në edicionin e 29-të të festivalit.
Ndërkohë, në ditët në vazhdim do të shfaqen edhe një film bashkëprodhim dhe një zhvillim skenari.
Kështu ka njoftuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në një postim në llogarinë zyrtare në Facebook.
Më poshtë postimi i plotë i MKRS-së:
3 filma kosovarë në Festivalin e Filmit në Sarajevë
Qendra Kinematografike e Kosovës po vazhdon fuqishëm prezencën e saj nëpër botë me filmat më të ri që i ka mbështetur.
Premiera botërore e filmit “Fran and Verka: or a usual day in an abandoned village” u dha në edicionin e 29-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, ku ditëve në vijim do të shfaqen edhe 1 film bashkëprodhim dhe 1 zhvillim skenari.
Përkrahur nga QKK, dokumentari i metrazhit të shkurtër shpalos tregimin e Franit dhe Verkës, një çift kroat nga Kosova, të cilët janë banorët e vetëm të fshatit Vërnakollë. Përmes dokumentimit të një dite të çiftit, dokumentari na fton të rimendojmë ndjenjat e vetmisë, përkatësisë dhe lidhjes me vendin që e quajmë shtëpi.
Regjisori Sovran Nrecaj, producentja Aurela Kadriu dhe drejtori i fotografisë Besim Ugzmajli, ishin të pranishëm në premierë, pas së cilës ju përgjigjën pyetjeve të audiencës në një sesion diskutimi.
/Telegrafi/