Telegrafi

Tre anëtarë të dyshuar të ISIS akuzohen në Belgjikë për planifikim të një sulmi terrorist

Tre anëtarë të dyshuar të degës afgane të ISIS, Shteti Islamik Khorasan, po akuzohen në Belgjikë për planifikim të një sulmi terrorist.

Policia ka liruar katër persona të tjerë të cilët ishin arrestuar gjithashtu gjatë bastisjes së shtëpive në të gjithë vendin, tre prej tyre pasi u morën në pyetje nga një gjykatës hetues.

Prokurorët thonë se të shtatë personat e arrestuar në rajonin e Brukselit dhe në qytetet përfshirë Antwerp, Liege dhe Gent, ishin vendas të Çeçenisë, me tre prej tyre të cilët tashmë akuzohen si anëtarë të ISIS.

Prokurorët thanë se nuk ka asnjë tregues se të dyshuarit kishin zgjedhur një objektiv specifik dhe nuk pranuan të japin informacione të mëtejshme, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, mediat belge kanë raportuar se hetuesit nuk dëshirojnë të rrezikojnë zhvillimin e Lojërave Olimpike në Paris.

Prokurori francez kundër terrorizmit tha se nuk ka pasur arrestime apo kontrolle në Francë si pjesë e hetimit, por nuk tha nëse autoritetet franceze ishin të përfshira në të.

Ndryshe, sulmet terroriste të Parisit të vitit 2015, në të cilat 130 njerëz u vranë dhe 368 u plagosën, ishin planifikuar dhe koordinuar kryesisht nga Belgjika fqinje, me disa nga sulmuesit shtetas ose banorë belgë.

Një vit më pas, shpërthimet me bomba në aeroportin e Brukselit vranë 34 njerëz dhe plagosën 340.

Midis të dënuarve për sulmet ishte Salah Abdeslam, i cili ishte gjithashtu i dyshuari kryesor në gjyqin e sulmeve në Paris. /Telegrafi/