Telegrafi

Trazira në qytetin turk të Vanit – fituesit nuk i dorëzohet komuna, por partisë humbëse të Erdoganit

Kanë nisur trazira në qytetin turk të Vanit pasi partia e drejtuar nga presidenti, Recep Tayyip Erdogan, AKP nuk po pranon të dorëzojë komunën.

Komisioni zgjedhor i bashkisë së qytetit të Vanit i është dorëzuar Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet pasi komisioni zgjedhor provincial vendosi se fituesi, Abdullah Zeydan nga Partia kurde e Barazisë dhe Demokracisë së Popullit (DEM), nuk kishte të drejtën për të kandiduar në zgjedhje.

Pavarësisht se Zeydan siguroi vendin e parë me 55.48 për qind të votave në provincën lindore, të drejtat e tij zgjedhore iu hoqën me një vendim gjykate pak përpara zgjedhjeve të 31 marsit.

Lexo po ashtu Zgjedhjet në Turqi, Erdogan 'pranon humbjen' – ja çfarë tha pak pas publikimit të rezultateve të pjesshme

Heqja e këtyre të drejtave nënkupton humbjen e kualifikimit të tij për detyrë, në pritje të rezultatit të ankesave, duke çuar në heqjen e mandatit të tij, shkruan gazeta hurriyet.

Partia DEM përmes një njoftimi me shkrim ka thënë se partia e ka ankimuar vendimin, duke ia përcjellë Këshillit të Lartë Zgjedhor (YSK) për të ndërprerë dhënien e mandatit në pritje të procesit të ankesës.

Ndërkohë, bordi vendosi t’i jepte mandatin kandidatit me numërimin e dytë më të madh të votave, i cili ishte kandidati i AKP-së, Abdulahat Arvas.

Zeydan u arrestua në nëntor të vitit 2016 dhe qëndroi në burg për akuza të lidhura me terrorin deri në janar 2023. /Telegrafi/