Site icon Telegrafi

Trazira në Armeni, demonstruesit para ndërtesës së qeverisë përleshen me policinë

Demonstruesit në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, të cilët i bënë thirrje kryeministrit Nikol Pashinyan të jepte dorëheqjen, u përleshën me policinë.

Në videon e televizionit armen shihet sesi disa nga protestuesit tentuan të çajnë kordonin e policisë dhe të arrijnë te godina ku ndodhet qeveria. Ata hodhën shishe në dritare, por edhe në drejtim të vetë policëve, transmeton Telegrafi.

Ata kanë arritur të thyejnë xhamin e derës hyrëse të ndërtesës. Ndaj demonstruesve ka ndërhyrë edhe policia me shok bomba.

Protestuesit që bënin thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dolën në rrugë, pasi Azerbajxhani nisi një operacion ushtarak në rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakhut të martën.

Lexo po ashtu Pse Azerbajxhani dhe Armenia janë në luftë?

Qindra njerëz u mblodhën në Sheshin e Republikës në Jerevan përpara zyrës së kryeministrit, për të dënuar trajtimin e Pashinyanit të krizës së Karabakut. Ata kanë brohoritur slogane si “Nikol tradhtar” dhe “Nikol largohu”.

Pashinyan është përballur me demonstrata kundër qeverisë së tij në Armeni, që kur Jerevani humbi pjesë të mëdha të territorit në dhe rreth Nagorno-Karabakut në një luftë të vitit 2020 me Azerbajxhanin.

“Nuk është e mundur të kemi një lider që po humb territoret tona”, tha një nga protestuesit, i cili është edhe veteran i luftës.

Ai shtoi se armenët tani duan të tregojnë se nuk do të braktisin njerëzit e tyre në Karabak. /Telegrafi/

 

Exit mobile version