Arrestohet në flagrancë 24-vjeçari Dejvi Ahmeti, i cili u kap duke transportuar me automjet, kundrejt pagesës, 13 emigrantë nga vendet e treta që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të kalonin në vendet e BE-së.
Në pranga është vënë dhe shtetasi pakistanez Hassan Raza që ndihmonte emigrantët, kundrejt pagesës, që të futeshin ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë.
24-vjeçari Ahmeti banues në Korçë është kapur në flagrancë gjatë operacionit “Road Guard 73”, në aksin rrugor Tre Urat-Përmet, duke transportuar me automjet, drejt Tiranës, kundrejt shumës 150 euro për person, 13 emigrantë nga vendet e treta që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të kalonin në vendet e BE-së.
Sa për 33-vjeçarin Raza, sipas hetimeve ka rezultuar se ndihmonte emigrantët nga vendet e treta, kundrejt pagesës 100 euro për person, që të futeshin ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe 2 celularë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/