Site icon Telegrafi

Transparency International: Ligji për denoncuesit nuk zbatohet

Ligji për mbrojtjen e denoncuesve, të njohur edhe si fishkëllyes, i cili u miratua si produkt i marrëveshjes politike në “Përzhino” nuk zbatohet aspak, vërejnë nga Transparency International në Maqedoni, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Ligji për mbrojtjen e denoncuesve duhet të thjeshtësohet dhe me këtë edhe procedura për paraqitje duhet të bëhet sa më e thjeshtë. Ky është njëri nga qëndrimet e grupit punues për harmonizimin e Ligjit për mbrojtje të denoncuesve me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Kryetarja e “Transparency International”  Sllagjana Taseva konsideron se Ligji për mbrojtjen e denoncuesve nuk po zbatohet.

“Ne ligjin e kemi prej nëntorit të vitit të kaluar dhe filloi të zbatohet nga muaji mars i këtij viti, pasi Ministria e drejtësisë i miratoi aktet nënligjore. Por ky ligj sot nuk zbatohet sepse nuk ka kushte. Asnjë institucion nuk krijoi kushte, ndërsa publikimi nuk është i lejuar në situatë kur të njëjtët mungojnë”, është shprehur Taseva.

Sipas kryetarit të Këshillit të prokurorëve publikë, Petar Anevski, në Maqedoni, shumë denoncues ose persona që kanë dëshmuar kundër të tjerëve, janë shprehur se kanë gabuar që kanë dhënë dëshmi, sepse nuk e gëzojnë mbrojtjen nga shteti.

“Për këta persona duhet që në Ministrinë e Punëve të Brendshme të ketë regjistër, në mënyrë që ndaj tyre të ketë vëmendje. Mbrojtje duhet t’u jepet edhe pas 10 viteve, përndryshe në të ardhmen shumë pak persona mund të vendosin për të dhënë dëshmi”, ka thënë Anevski.

German Filkov nga Qendra për komunikime qytetare, konsideron se duhet të pyeten partitë politike se a dëshirojnë që ky ligj të pësojë ndryshime.

“A jemi të sigurt se për momentin ka vullnet politik për tu ndryshuar ligji, sepse ky ligj është arritur me marrëveshje politike nga një parti që është në pushtet, dhe nga një tjetër që dëshiron të vijë në pushtet”, ka thënë Filkov.

Në raportin e Komisionit të Venedikut thuhet se nevojitet revizion serioz i Ligjit për mbrojtje të privatësisë. Rekomandohet që në ligj të lejohet publikimi i materialeve që janë me interes publik dhe përcaktim më i saktë i asaj se çdo të thotë interes publik dhe interes privat./Telegrafi/

 

Exit mobile version