Tyson Fury e ka treguar formën e tij fizike para rimeçit të shumëpritur ndaj kampionit të WBC-së, Deontay Wilder, që zhvillohet gjatë këtij muaji.
Në dhjetor të vitit 2018, dy boksierët e peshave të rënda u ndanë baras, ndërsa më 22 shkurt në Las Vegas do të vihen sërish përballë njëri-tjetrit.
Pas problemeve private dhe mendore që e lanë jashtë ringut për një kohë të gjatë, britaniku iu kthye boksit në qershor të vitit 2018 me duelin e parë ndaj shqiptarit Sefer Seferi.
Asokohe, ai peshonte 124 kilogramë, mirëpo në katër ndeshjet që pasuan, Fury po bëhej gjithnjë e më i lehtë. Në meçin e parë ndaj Wilder, britaniku peshonte 115.5 kilogramë.
Mirëpo, babai i tij, John, kishte deklaruar se Fury nuk e kishte fuqinë për ta nokautuar amerikanin, prandaj e kishte kritikuar trajnerin Ben Davison, me të cilin boksieri tashmë i ka ndarë rrugët.
Dhe për rimeçin kundër kampionit të WBC-së, 31-vjeçari ka ndërtuar një figurë muskulore dhe ka premtuar se do të jetë në optimalen e peshës, rreth 120 kilogramë.
Kujtojmë që në periudhën kur vuante nga problemet mendore, Fury kishte shtuar peshë mbi 170 kilogramë. /Telegrafi/