Janë bërë gati pesë muaj prejse pakoja e projektligjeve për formimin e Ushtrisë së Kosovës është votuar në Kuvendin e Kosovës (dhjetor 2018) dhe më pas është dekretuar nga presidenti Hashim Thaçi për zyrtarizim.
Rrjedhimisht tri projektligjet që i dhanë mision shtesë FSK-së hynë në fuqi në janar të këtij viti.
Nga Ministria e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se deri më tash ka përfunduar procesi i rekrutimit të 650 ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Procesi i transformimit, sipas tyre, është në përfundim të fazës së përcaktimit dhe harmonizimit të dokumenteve nënligjore, që rregullojnë organizimin dhe funksionalizimin e FSK-së sipas misionit të ri.
Por ekspertët e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë konsiderojnë se këto procedura është dashur të kryhen për një periudhë më të shpejtë kohore. Sipas tyre, çështja e ristrukturimit është dashur të rregullohet brenda tremujorit të parë pas bërjes së Ushtrisë, shkruan Gazeta “Zëri”.
Ngecje në procesin e transformimit sipas tyre, pos në ristrukturim, ka pasur edhe në disa pika të tjera. Deri më tash, siç ata janë shprehur, do të duhej që Shtabi i FSK-së të veçohej, të formësohej me një aktivitet ushtarak, në mënyrë që të shihej se si mund të funksionojë me detyra shtesë ushtarake.
Ngecja e tretë sipas ekspertëve të sigurisë ka të bëjë me mosvënien e figurave të reja nëpër udhëheqje të shtabeve, komandave e njësive më të ulëta.