Janë arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës dy persona të cilët nëpërmjet mashtrimit transferuan 11 milonë euro nga kompanitë guaskë jashtë vendit në Shqipëri.
Arlinda Markudhe dhe Darin Gezdari, u ndaluan pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar një skemë të mirëfilltë kriminale për transferimin e parave nëpërmjet transaksioneve bankare duke përdorur kompani guaskë në shtetet e parajsave fiskale si Qipro, Giblartar, Maltë, etj.
Këto para transferoheshin në shtetin shqiptar në shoqëri të krijuara në mënyrë fiktive, dhe më pas transferoheshin në shtetin kanadez, i gjithë ky aktivitet i dyshuar kriminal është kryer në funksion të pastrimit të produktit të veprës penale.
Nga hetimi i zhvilluar dhe provat e grumbulluara dyshohet se në këtë skemë mashtrimi janë të përfshirë shtetas të tjerë shqiptarë e të huaj të lidhur me këtë aktivitet kriminal për të cilët po punohet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të tyre.
“Dy persona, shtetasi D.G. dhe shtetasja A.M. u ndaluan gjatë finalizimit të operacionit ‘cost to cost’ në zbatim të vendimeve të kontrollit, të dhëna nga gjykata mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi nëpërmjet një skemë mashtrimi arritën të transferojnë përgjatë dy viteve nga kompani guaskë jashtë vendit drejt kompanisë shqiptare rreth 11 milionë euro”,-thuhet në njoftim.