Xavi i ka shtuar akoma më shumë spekulimet që e lidhin Erling Haalandin me kalimin në Camp Nou duke thënë se kurrë nuk ka ndodhur që një lojtar t’i thotë jo Barcelonës.
Sulmuesi i Borussia Dortmundit është ndër yjet më të kërkuara nga klubet e mëdha evropiane dhe pritet largimi i tij në afatin kalimtar veror.
Blaugranët kryesojnë listën e klubeve të interesuara për shërbimet e norvegjezit, të cilin e duan në skuadër nga sezoni i ardhshëm.
Është raportuar se trajneri i Barcës është takuar me Haalandin në Munih në fillim të këtij muaji në përpjekje që ta bindë për t’iu bashkuar gjigantit të La Ligas.
Xavi është pyetur gjatë një konference për shtyp në lidhje me transferimin potencial të 21-vjeçarit, ndërsa përgjigja e tij i ka shtuar thashethemet.
“Nuk kam parë ndonjë lojtar që i ka thënë ‘jo’ Barcelonës”, u ka thënë spanjolli gazetarëve.
“Kur bisedon me ndonjë lojtar, i tregon si është këtu, mënyrën tonë të lojës, të stërvitjeve… ia bën me dije se ky është klubi më i mirë, qyteti është i mrekullueshëm”, ka shtuar Xavi. /Telegrafi/