Telegrafi

Transferimi i Grupit të Kumanovës: Lloga thotë se po punohet për kompletimin e dokumentacionit

Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Krenar Lloga, në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, thotë se në rrjedhë është procesi i kompletimit të dokumentacionit për transferimin e Grupit të Kumanovës, duke nënvizuar se dinamika e realizmit të transferimit varet gatishmëria dhe shpejtësia e veprimit të gjykatave dhe institucioneve të tjera në këtë rast dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministri Lloga është shprehur i prerë se duhet të ketë përgjegjësi për ata gjykatës që i lanë të të vjetrohen lëndët ku janë të përfshirë zyrtarët e lartë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në pyetjen se sikurse ambasadori i Bashkimit Evropian, David Geer, ashtu dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Aggeler, dolën me kritika serioze për ndodhitë edhe në Këshillin Gjyqësor, por edhe për aktvendimet, përkatësisht nga shfuqizimi i aktvendimeve nga Gjykata e Apelit që çoi në vjetërsimin e lëndëve ku ishin të përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit. Çka ndërmorët ju pas atyre kritikave, marrë parasysh dhe të dhënat e fundit të IRI-t që thonë se vetëm 4 për qind e qytetarëve kanë besim te gjyqësori?

“Për fat të keq te ky 4 përqindëshi besoj se duhet të jenë vetëm familjarët e gjykatësve dhe prokurorëve, sepse nuk ka asnjë logjikë tjetër që të jetë kaq e ulët besueshmëria nëpër këto institucione. Si letra e ambasadores së SHBA-së (Angela Aggeler), ashtu dhe shqetësimet e shprehura nga ana e ambasadorit të BE-së në Shkup, David Geer, janë në një vijë me atë që ne kemi thënë që nga dita e parë që kemi ardhur në Ministrinë e Drejtësisë. Dhe, në këtë pikë ne punojmë për zgjidhjet sistemore që mund të japin ndryshimet ligjore.

Por, hallka e besueshmërisë së organeve gjyqësore nuk lidhet me Ministrinë e Drejtësisë pasi ajo nuk ka kompetencë të drejtpërdrejtë por ka të bëjë me një bashkëpunim që duhet të rritet, sikurse edhe niveli përgjegjësisë dhe transparencës në këto organe vendimmarrëse.

Është e vërtetë se gjyqësia në Maqedoninë e Veriut nuk po e kalon momentin më të mirë të saj” u përgjgj Lloga.

Ministri Lloga foli edhe për transferimin e “Grupit të Kumanovës” në Kosovë. I pyetur se Gjatë muajit të kaluar theksuat se ka pasur lëshime në procedurat që kanë të bëjnë me kërkesën për transferimin e Grupit të Kumanovës. Për çfarë lëshimesh bëhet fjalë dhe kur mund të realizohet ky proces?

“Atë që kam marrë nga dokumentacioni në fjalë dhe që e kanë referuar punonjësit e administratës brenda në ministri është se disa nga kërkesat nuk janë të kompletuara. Kemi filluar me procesin e kompletimit të dokumentacionit pastaj fillon një nga një fazat, të cilat rrjedhin deri në momentin që duhet të kryhet edhe transferimi i tyre në burgjet e Kosovës”, tha Ministri i Drejtësisë.

Ai shtoi se kjo ngërthen shumë institucione, si brenda Maqedonisë së Veriut ashtu edhe në Kosovë. Pra, kemi të bëjmë me vendimet që duhet të njihen nga ana e Gjykatave në Kosovë, pra vendimet e plotfuqishme të cilat janë vendosur në Maqedoni të Veriut, varësisht nga gatishmëria dhe shpejtësia e gjykatave dhe institucioneve të tjera, në këtë rast edhe e Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të varet dinamika e realizimit të procesit në fjalë./Telegrafi/