Fakulteti i Drejtësisë në UEJL, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë së RM-së, duke filluar prej 12 prill 2018, do të fillojë me realizimin e Programit “Trajnim për përgatitjen e provimit të judikaturës”.
Trajnimi është i akredituar nga Bordi për akreditim dhe evaluim të arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë.
Studentët dhe kandidatët që do të ndjekin trajnimin, do t’i kenë në dispozicion të gjitha materialet e nevojshme bazuar në programin për dhënien e provimit të judikaturës të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë.
Kandidatëve, gjithashtu, do t’u ofrohet qasje pa pagesë në burimet online për të gjitha aktet juridike, gjatë periudhës së trajnimit. Në çdo kohë do të mund të drejtohen për këshilla me profesorët, ekspertët si dhe koordinatorin e trajnimit në periudhën sa zgjat trajnimi, por edhe gjatë periudhës së dhënies së provimit të judikaturës në Ministrinë e Drejtësisë.
Afati i fundit për aplikim në këtë trajnim është deri më 11 prill 2018./Telegrafi/