Kryetrajneri i Deontay Wilder ka pranuar se vendimin për ta hedhur peshqirin në meçin kundër Tyson Furyt e kishte marrë asistenti i tij, kundër vullnetit të boksierit dhe trajnerit kryesor.
Bomberi i Bronztë u rrëzua dy herë nga Gypsy King gjatë duelit për titullin e WBC-së të zhvilluar në MGM Grand në Las Vegas dhe dukej i pafuqishëm, ndërsa këndi i tij në raundin e shtatë e dorëzoi meçin.
Edhe pse britaniku po e dominonte duelin në secilin aspekt, amerikani nuk ishte aspak i kënaqur me këtë vendim, aq sa i bërtiti ekipit të tij: “Pse e bëtë atë?”.
Trajneri i 34-vjeçarit, Jay Deas, ka treguar se asistenti i tij, Mark Breland, e ksihte marrë vendimin kundër vullnetit të Wilder për ta dorëzuar meçin – transmeton The Sun.
“Mark e hodhi peshqirin. Mendoj se nuk është dashur ta bëjë. Deontay është ai tip boksieri që ‘shfaq mburojën e tij’. Gjithmonë duhet ta merrni në konsideratë se Deontay është një goditës i frikshëm, prandaj është gjë e vështirë, sepse ai gjithmonë mund ta bëjë atë goditje dhe t’i ndryshojë gjërat”.
“Unë jam trajneri kryesor i ekipit, por i bëjmë gjërat paksa ndryshe… Gjatë raundit, Mark tha diçka për hedhjen e peshqirit, unë i thash: ‘Mos e bëj’. Nuk mendoja se duhej ta bënte”.
“Pastaj përballja zgjati pakëz më shumë dhe e pash peshqirin duke u hedhur. Nuk kam folur me Markun për këtë, por do të flasim dhe do ta sqarojmë se cfarë ndodhi”, ka deklaruar trajneri i Wilderit. /Telegrafi/