Telegrafi

Trajneri i Sllovenisë, Matjaz Kek: Kosova e përbërë me yje, por qëllimi ynë është të fitojmë

Përzgjedhësi i Kombëtares së Sllovenisë, Matjaz Kek ka lavdëruar përbërjen e Përfaqësueses së Kosovës në futboll para takimit të nesërm (e diel) në kuadër të Ligës së Kombeve.

Kosova luanë nesër në udhëtim te Sllovenia në kuadër të ndeshjes së pestë të Grupit 3 në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Dardanët vijnë në këtë ndeshje pa asnjë gjasë për të siguruar vendin e parë dhe për të ëndërruar një vend në Kupën e Botës 2022.

Lexo po ashtu Muharrem Sahiti: Sllovenia kundërshtar i fortë, por edhe përkundër mungesave dhe lëndimeve duam rezultat pozitiv

Megjithatë, trajneri i Sllovenisë, Kek në konferencën e mbajtur sot ka thënë se Kosova në radhët e saj ka lojtarë yje që luajnë në ekipe të mëdha evropiane.

Por, ai ka shtuar se qëllimi i vetëm i tyre është fitorja në takimin ndaj Dardanëve.

“Qëllimi ynë është të fitojmë”, ka thënë fillimisht trajneri i Sllovenisë në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Kosovës.

“Kosova është një skuadër e përbërë me yje që luajnë në ekipe të mëdha të Evropës, por ne kemi fatin në duart tona dhe dëshirojmë të përfundojmë grupin si lider”, përfundoi Kek.

Lexo po ashtu Hekuran Kryeziu për ndeshjen ndaj Sllovenisë: Takim i vështirë, por duam rezultat pozitiv për të mbetur në Ligën C

Ndryshe, pas katër takimeve të zhvilluara në Ligën e Kombeve, Sllovenia është e para në grup me 10 pikë, kurse Kosova është e parafundit me vetëm dy pikë.

Takimi ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës zhvillohet nesër në Lubjanë me fillim nga ora 20:45. /Telegrafi/