Me Liverpoolin në Angli të gjithë ishin tallur në gusht të vitit 2018, atëherë kur e zyrtarizuan Thomas Gronnemark si trajner të rivënieve anësore.
Asnjë klub nga Liga Premier nuk kishte bërë një zyrtarizim të tillë, e që bëri tifozët anglezë të talleshin me The Reds.
“Më vjen keq, një trajner i rivënieve anësore? Ja topin, merre me të dyja duart dërgoje prapa kokës tuaj dhe gjuaje në fushë”, kishte thënë analisti i Sky Sports, Andy Gray në momentin që Liverpooli e kishte zyrtarizuar Gronnemarkun.
Sidoqoftë, Jurgen Klopp e ka ditur se çfarë mund të bëjë eksperti i rivënieve anësore dhe që tani ka dhënë rezultatet e duhura.
“Të jemi i sinqertë asnjëherë nuk kisha dëgjuar për trajner të rivënieve anësore. Kur dëgjova për Thomas, ishte e qartë se doja ta takoja atë, kur e takova, isha i sigurt se doja ta punësoja atë në skuadrën time”, ka thënë gjermani.
Gronnemark e mban rekordin e hedhjes më të gjatë nga vijat anësore me një distancë prej 51.33 metrave.
Statistikat e tij që nga arritja e tij te The Reds flasin për të, pasi skuadra e Klopp ka fituar posedimin e topit në 45.5 për qind të rasteve nga rivëniet anësore.
Që nga ardhja e danezit, Andy Robertson e ka përmirësuar hedhjen e topit nga vija anësore nga 19 metra në 30 metra, derisa Joe Gomez kishte bërë një asistim direkt nga vijat anësore në ndeshjen e Anglisë kundër Kroacisë në nëntor të vitit 2018.
Kujtojmë se goli i Roberto Firminos ndaj Wolverhampton Wanderers në këtë mes javë filloi pikërisht nga rivënia anësore.
Po ashtu goli i brazilianit ndaj Tottenham Hotspuri erdhi nga rivënia anësore.
Rasti më i mirë është edhe te rivënia nga këndi nga Trent Alexander-Arnold ndaj Barcelonës në sezonin e kaluar të Ligës së Kampionëve, kur i zuri kundërshtarët në befasi, derisa Divock Origi shënoi me lehtësi, e që thuhet se Gronnemark ka pasur edhe aty ndikim. /Telegrafi/