Site icon Telegrafi

Trajneri portugez u largua nga Chelsea pas 18 vitesh, po shkon në stafin e Tuchel te Anglia

Klubi anglez, Chelsea ka humbur një trajner nga stafi profesional i menaxherëve. Bëhet fjalë për Henrique Hilario, i cili ka qenë me klubin nga Stamford Bridge për 18 vitet e fundit.

Hilario mbërriti te Chelsea në vitin 2006, ndërsa ishte ende një portier aktiv dhe në atë kohë ai ishte opsioni i tretë në skuadrën e Jose Mourinhos, pas Petr Cech dhe Carlo Cudicini.

Ai si portier ishte pjesëtar i Bluve për gati një dekadë, pasi u përshëndet në vitin 2014 dhe më pas u punësua menjëherë në stafin profesional si trajner i portierëve, post të cilin e ka mbajtur deri më sot.

Ai ishte ndihmësi i Antonio Contes, i cili e udhëhoqi Chelsean drejt titullit të kampionit të Anglisë dhe mbeti trajner portierësh dhe në stafet profesionale të drejtuesve të mëvonshëm që kanë udhëhequr Blutë deri më sot.

 

Tani Hilario ka marrë një ftesë nga Thomas Tuchel për t’u bashkuar me të në kombëtaren e Anglisë, një ofertë që portugezi nuk mund ta refuzonte.

Kujtojmë se Federata e Futbollit të Anglisë njoftoi në tetor se Tuchel është trajneri i ri i Tre Luanëve, duke pasuar Gareth Southgate në atë post.

Gjermani do të punojë zyrtarisht si trajner i Anglisë nga dita e parë e vitit 2025. /Telegrafi/

 

Exit mobile version