Trajneri i Llapit, Xhengis Rexhepi ka folur pas humbjes së ekipit të tij nga Feronikeli me rezultat 2-0.
Llapi është mposhtur në udhëtim te Feronikeli në ndeshjen e javës së 19-të dhe kjo humbje ka lënë shije të hidhur te trajneri i llapjanëve, Rexhepi.
“Ia urojë fitoren Feronikelit, por rezultati nuk e tregon epilogun e ndeshjes, pasi ekipi më i mirë në fushë ishte Llapi”, ka thënë fillimisht Rexhepi pas ndeshjes.
“Feronikeli tërë kohën është mbrojtur, ne e kemi humbur ndeshjen me gabimet tona”.
Trajneri nga Maqedonia gjithashtu shtoi se kampionati është i gjatë dhe futbollistët e tij nuk do të dorëzohen deri në fund luftën për titull.
“Nuk e kemi merituar këtë humbje, por kampionati është ende i gjatë dhe jeta vazhdon”.
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund në çdo ndeshje”, përfundoi trajneri i Llapit.
Ndryshe, Llapi me këtë humbje ka mbetur në pozitën e tretë me shtatë pikë më pak se Feronikeli në vendin e parë dhe pesë më pak se Prishtina, të cilët i pret në ndeshjen e ardhshme. /Telegrafi/