Telegrafi

Trajneri i Llapit, Batatina i pakënaqur me humbjen dhe vonimin e lojës nga Prishtina

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka mbetur i pakënaqur me rezultatin dhe humbjen e ekipit të tij në derbin e javës nga Prishtina.

Llapi është mposhtur me rezultat 2-0 nga Prishtina në kuadër të javës së 23-të në Superligën e Kosovës.

Kjo humbje ka lënë shije të hidhur te trajneri mysafir, Batatina, i cili përveç lojtarëve të tij ka kritikuar edhe lojën e kundërshtarëve.

Lexo po ashtu Prishtina vazhdon me formën e lartë - fitore komode ndaj Llapit

“Ndeshjen e nisëm mirë duke krijuar disa mundësi shënimi, madje duke goditur edhe shtyllën. Kur nuk arrin të shënosh, normalisht që do të pësosh dhe kështu na ndodhi edhe neve”, ka thënë fillimisht Batatina pas ndeshjes.

“Prishtina shënoi nga dy raste. Me pak fjalë ne e mundëm veten dhe nuk na mposhti Prishtina”.

“Penalltia? Nga këndi im më është dukur që ishte penalti, sidoqoftë u mbeten organeve për të vendosur nëse ishte apo jo penallti”.

Lexo po ashtu Trajneri i Prishtinës, Ramadani: Objektivi ynë nga fillimi ishte titulli kampion

“Sinqerisht Prishtinës nuk i ka hije të luaj këtë lloj loje. Ne po mundohemi ta ngrisim ritmin e lojës dhe jo ta ulim, ashtu siç ka bërë Prishtina nga pjesa e parë e lojës”.

“Është e kuptueshme ta vonosh lojën në minutat e fundit, nga minuta e 85-të, por jo nga pjesa e parë, pasi që kjo gjë nuk i kontribuon aspak futbollit”, përfundoi trajneri i Llapit. /Telegrafi/