Telegrafi

Trajneri i Gjilanit, Mezani: Prokuroria dhe Federata duhet të punojnë që kampionati i ardhshëm të jetë më i pastër

Genjtan Mezani, trajner i SC Gjilanit

Gjilani dhe Ballkani kanë ndarë pikët në kryendeshjen e xhiros së parafundit të Superligës së Kosovës, duke barazuar me shifrat 2-2.

Trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani, ka thënë se skuadra e tij dhe ajo e Ballkanit kanë bërë lojën më të pastër në kampionatin e Kosovës, ndërsa i ka bërë thirrje Prokurorisë së Kosovës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës që të punojnë në mënyrë që edicioni i ardhshëm të jetë më i pastër.

“E gjithë Kosova e ka parë si ka luajtur Gjilani, e si ekipet tjera. Ua mbyllëm gojën edhe specialistëve që na kritikonin. E them me gjithë gojën që Gjilani ishte skuadra më e mirë në Kosovë këtë edicion dhe e meritoi titullin kampion”, deklaroi Mezani për “Super Sport Kosova”.

“Edhe ne edhe Ballkani kemi luajtur pastër. Prokuroria dhe Federata duhet të punojnë që kampionati i ardhshëm të jetë më i pastër”, shtoi ai.

“Nuk më intereson fare nëse e kemi bërë Dritën kampion apo jo, ne ishim ekipi më i mirë. Skuadra është shumë e lodhur pas dy ndeshjeve të vështira, por do të japim maksimumin edhe ndaj Flamurtarit, pasi që jemi brenda objektivave dhe duam pozitën e dytë”, ka thënë Mezani. /Telegrafi/