Trajneri i Getafes, Jose Bordalas, ka dalur në mbrojtje të Mason Greenwood dhe ka kërkuar ‘respekt’ nga Jude Bellingham dhe të tjerët, pasi lojtari i Real Madridit u raportua në La Liga, pasi dyshohet se e ka quajtur bashëkombasin e tij një ‘dhunues’.
“Unë e di atë që e dini edhe ju. Nuk është punë e imja, i takon klubit, La Ligas dhe Federatës që të marrin një vendim për këtë”, ka thënë Bordalas.
“Gjëja e vetme që mund të them është që kërkoj respekt për Mason Greenwood pasi ai është një djalosh i mirë. Ai është një djalosh i cili respekton të gjithë dhe ka sjellje të shkëlqyer”, shtoi ai.
La Liga tashmë ditë më parë kishte njoftuar se ata kanë punësuar një ekspert të leximit të buzëve, për të parë nëse Bellingham me të vërtetë e ka përdorur atë fjalor në drejtim të Greenwoodit, gjatë duelit të mesjavës.
Gjithçka ndodhi në fitoren me rezultat 2-0 të Real Madridit mbrëmjen e së enjtes, kur kamerat e televizionit kapën Bellingham duke thënë diçka pasi topi doli jashtë lojës.
Në rast se kjo akuzë vërtetohet dhe Bellingham shpallet fajtor nga autoritetet spanjolle, atëherë mesfushori anglez mund të përballet me një suspendim si rezultat./Telegrafi/