Telegrafi

Trajneri i Feronikelit, Ramadani: Jam i lumtur me titullin e fituar, tani mendojmë për Ligën e Kampionëve

Trajneri i Feronikelit, Zekirija Ramadani, është shprehur tejet i lumtur me fitimin e titullit kampion në Ipko Superligën e Kosovës për sezonin 2018/19.

Strategu i skuadrës nga Drenasi ka thënë se është shumë i lumtur dhe i emocionuar për triumfin në ligën e Kosovës, ndërsa ka shtuar se Prishtina, Llapi dhe Drita, u kanë bërë konkurrencë të fortë.

“Jam shumë i emocionuar, shumë i gëzuar. T’i fitoni 80 pikë në këtë sezon, tregon për punën e stafit. Me këtë fitore kemi treguar se jemi skuadra numër një në Kosovë. E dinim se duhet të luajmë për fitore dhe jo për barazim. Nuk e lejuam Prishtinën që të krijonte asnjë rast. Është meritë e Prishtinës dhe Llapit që nuk na kanë lënë të ndjehemi komodë, edhe pse kemi bërë 80 pikë”.

“Prishtina ishte kundërshtari më i vështirë i këtij sezoni, por që nuk duhet harruar as Llapin e Dritën, që na kanë bërë konkurrencë të fort”, është shprehur trajneri i Feronikelit pas shpalljes kampion.

Ramadani ka folur edhe për kualifikimet në Ligën e Kampionëve, duke thënë se skuadrës së tij i duhen përgatitje shumë më të mëdha.

“Nga nesër do të përgatitemi për ndeshjet që na presin në Evropë, pasi nuk do të jetë aspak e lehtë. Unë kam marrë pjesë në disa finale të mëdha, por që në Evropë duhet një përgatitje më e madhe”, ka shtuar më tej trajneri i Feronikelit. /Telegrafi/