Shpëtim Duro ka folur pas humbjes së Dritës ndaj Gjilanit në derbin e madh lokal, i cili ishte i vlefshëm për javën e shtatë të Ipko Superligës së Kosovës.
Pas fitores nga Prishtina, Drita nuk ka mundur të vazhdojë me fitore pasi është mposhtur 1-0 nga Gjilani në derbin e madh lokal dhe kjo humbje ka lënë shije të hidhur te trajneri Duro, për të cilin ishte derbi i parë.
“Sigurisht që ky derbi ishte diçka shumë e bukur. Aroma u ndje gjatë gjithë javës. Edhe sot ka qenë diçka e bukur nga të dyja palët, pati shumë spektakël”, ka thënë fillimisht Duro pas ndeshjes.
“Nuk jam shumë i lumtur, pasi derbi i parë në Kosovë fillojë me humbje”.
“Kam shumë eksperiencë në ndeshje derbi dhe këto ndeshje vendosën në episode të tillë nga gabimet e vogla”.
“Kështu u vendos edhe kjo ndeshje nga një gol që erdhi nga një pakujdesi e jona në mbrojtje”.
“Tani jemi shumë mbrapa, por duhet t’i marrim ndeshje pas ndeshje dhe të marrim maksimumin nga ndeshjet e ardhshme”, përfundoi trajneri shqiptar.
Në ndeshjen e radhës, Skifterat luajnë në udhëtim te Flamurtari, ndërsa Intelektualët e presin në shtëpi Trepçën ’89. /Telegrafi/