Telegrafi

Trajneri i Danimarkës, Hareide tregon arsyen pse e zgjodhën Kosovën para Gjermanisë

Age Hareide (Foto Lars Poulsen)

Trajneri i ekipit kombëtar të Danimarkës, Age Hareide ka nisur stërvitjet me lojtarët që ka ftuar për dy ndeshjet e ardhshme.

Javën e ardhshme, danezët i pret ndeshja kualifikuese për Kampionatin Europian kundër Zvicrës, i cili do të jetë kundërshtari i parë i Danimarkës në rrugën drejt Euro 2020.

Por, paraprakisht skandinavët do të përballen me Kosovën, por trajneri danez nuk e fsheh faktin se do të kishte kaluar javën pa u përballur me ndonjë ekip.

Megjithatë, rregullat e UEFA-s kërkojnë që ekipet kombëtare duhet të luajnë ndeshje më 21 mars. Për këtë arsye, një kundërshtar i mundshëm duhet të gjendet në një nga pesë grupet e kualifikimit me pesë skuadra në të.

“Sikur të ishte varur prej meje, ne vetëm do të stërvitnim për ndeshjen e Zvicrës, por UEFA thotë se ne duhet të luajmë ndeshje”, tha Hareide.

Lexo po ashtu Samir Ujkani rezervë, Valon Berisha i lënduar – kush do të jetë kapiten i Kosovës? Përgjigjet Bernard Challandes

Ai më tutje tregoi edhe arsyen pse zgjodhën të luajnë kundër Kosovës dhe jo kundër ndonjë kombëtare të fortë.

“Për shembull, mund ta kishim zgjedhur Gjermaninë si një kundërshtar, por do të ishte një kundërshtar tepër i vështirë para ndeshjes së Zvicrës”.

“Prandaj, pranuam të luajmë kundër një ekip të renditur më ulët dhe kemi gjashtë zëvendësime. Kështu që do të jetë një stërvitje e mirë për ne”, tha Hareide.

Ndryshe, ballafaqimi mes Kosovës dhe Danimarkës do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim në ora 19:00. /Telegrafi/

Lexo po ashtu Challandes: Ndeshja ndaj Danimarkës test i mirë, Celina mund ta zëvendësojë Berishën e lënduar