Kombëtarja e Azerbajxhanit do të jetë nikoqire e Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjen e parë të Divizionit D.
E për këtë takim tejet të rëndësishëm për të dyja taboret ka folur edhe trajneri i Azerbajxhanit, Gurban Gurbanov.
Për Gurbanovin kjo do të jetë ndeshja e parë zyrtare që do ta drejtojë Kombëtaren azere.
“Kjo është ndeshja ime e parë zyrtare që do ta drejtojë Kombëtaren”, tha Gurbanov.
“Ndeshja kundër Kosovës është shumë e rëndësishme pasi i kemi rival për ta fituar grupin”, deklaroi trajneri azer në konferencën për shtyp.
Trajneri i Azerbajxhanit i ka përcjellë tri ndeshjet e fundit të Kosovës, ku Përfaqësuesja jonë ka marrë po aq fitore.
“Kemi shikuar tri ndeshjet e fundit të tyre dhe janë një ekip i mirë, por pres nga lojtarët e mijë ndeshjet spektakolare”, deklaroi Gurbanov.
Krejt në fund trajneri azer deklaroi se i njeh edhe lojtarët e Përfaqësueses sonë që luajnë nëpër kampionate të forta.
“Mund të them se i njohim mirë lojtarët e tyre që luajnë në kampionate shumë të forta, por besoj se do t’i ndalim”, përfundoi Gurbanov.
Azerbajxhani dhe Kosova do të luajnë ndeshjen mes tyre me fillim nga ora 18:00 ditën e premte. /Telegrafi/