Trajneri i Al Nassr, Rudi Garcia ka folur për mundësinë e transferimit të Cristiano Ronaldos, pasi klubi nga Arabia Saudite ishte i lidhur fort me një lëvizje.
Superylli portugez i dha fund aventurës së tij të dytë me Manchester United me pëlqim reciprok muajin e kaluar, pas intervistës shpërthyese me Piers Morgan.
Klubet kryesore evropiane janë distancuar nga një transferim i tij, duke përfshirë Real Madridin – ku sulmuesi është golashënuesi rekord i të gjitha kohërave të klubit – të cilët nuk kanë interes për një rikthim të bujshëm për Ronaldon. Sportingu i Lisbonës është distancuar gjithashtu nga një rikthim i 37-vjeçarit së bashku me Bayern Munichun.
Trajneri i klubit saudit, Garcia, karriera e spikatur e të cilit si trajner përfshinte periudha në Roma, Marseille dhe Lyon, tani ka folur për mundësinë që Ronaldo t’i bashkohet klubit.
“Mendoj se çdo trajner do të ishte i kënaqur të stërviste një yll të madh si Cristiano dhe tashmë në nëntor 2021 isha shumë afër të shkoja te United”, deklaroi Garcia në një intervistë për Diario AS.
“Ata zgjodhën Ralf Rangnick, por unë u takova dy herë me John Murtough dhe Darren Fletcher (përkatësisht drejtor i futbollit dhe teknik i United)”.
“Isha shumë afër stërvitjes së këtij klubi dhe isha shumë i motivuar për të shkuar, kush nuk do të ishte i motivuar për të trajnuar United? Çdo trajner. Interesi i thjeshtë i United më ka lejuar të jem i sigurt për ambiciet e mia në të ardhmen”.
“Gjithmonë kam menduar se lojtarët e mëdhenj janë më të lehtë për t’u menaxhuar sepse janë shumë inteligjentë, këtë e kam verifikuar me Francesco Tottin te Roma”.
“Por, Ronaldo ende ka dëshirën për të luajtur në Evropë dhe unë i dëshiroj atij vetëm më të mirën, pasi nuk mund të flas më shumë rreth një lojtari që nuk është në radhët e tona”, ka shtuar më tej Garcia. /Telegrafi/