Telegrafi

Trajnerët e larguan nga klubi dhe e dërguan në shtëpi me shtatë dollarë në xhep, ndërsa sot ‘The Rock’ fiton miliona

Dwayne Johnson (Foto: Getty Images)

Dwayne Johnson tash fiton miliona, mirëpo rrugëtimi i tij drejt suksesit nuk ka qenë i lehtë. Kur ishte përzënë nga një klub futbolli në Kanada, trajnerët e kishin dërguar në shtëpi me shtatë dollarë ne xhep dhe ai asokohe kishte rënë në depresion.

Aktori ka treguar se nuk e ka pasur të lehtë të niste gjithçka nga e para, ndërsa tash thotë se edhe kur nuk realizohen ëndrrat më të mëdha, është gjë e mirë.

“Para se të shkoj në xhirime, ndodh që shikoj ndeshje të CFL (Canadian Football League) në televizorin tim. Dhe e shoh se është fusha e njëjtë ku kam luajtur edhe unë kur kam qenë në ligë”, ka thënë ‘The Rock’ duke shtuar se një ditë e kishte parë në televizor pikërisht trajnerin që e ka larguar nga skuadra.

Dwayne Johnson (Foto: Getty Images)

“E vlerësoj shumë atë njeri dhe e vlerësoj lojën në atë terren… Aq shumë kam dashur të kem sukses, por nganjëherë në jetë, ajo që e keni dashur më së shumti, del të jetë ëndrra më e bukur që nuk u realizua kurrë. Për mua loja në NFL është gjëja më e bukur që nuk është realizuar kurrë”, ka deklaruar Johnson.

Lexo po ashtu Lajmet për The Rock

46-vjeçari ka luajtur në futbollin amerikan gjatë kohës sa ishte në Universitetin e Miamit. Pas diplomimit iu bashkua klubit Calgary Stempeders, me shpresën se do të kishte sukses në NFL.

Mirëpo, përkundër përpjekjeve të shumta, ato nuk kishin mjaftuar për të pasur sukses.

“Në vend të suksesit, më larguan nga skuadra, më thanë se nuk jam i mirë sa duhet dhe më dërguan në shtëpi nga Kanadaja me shtatë dollarë në xhep”.

“Pas vitesh gjaku, lotësh dhe djersësh, ëndrra ime përfundoi. Rashë në depresion dhe nuk dija çfarë të bëja për të vazhduar tutje. Pastaj nisi jeta ime e dytë, aktrimi që më magjepsi të tërin dhe më ktheu në jetë”, ka rrëfyer ‘The Rock’. /Telegrafi/