Telegrafi

Tragjedia në SHBA rindez debatin për armët mes kandidatëve për President

Ngjarja me 50 viktima dhe mbi 50 të tjerë të plagosur në Orlando të Floridas, ka marrë edhe vëmendjen e kandidatëve për President në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Republikani Donald Trump shkroi në twitter: “Të shtëna të mëdha në Orlando, shumë të vdekur dhe të plagosur”.

Tragjedia ka nxjerrë në pah edhe debatin e nxehtë të përdorimit të armëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çështje të cilën presidenti Barack Obama e përfshiu në listën e dështimeve të tij gjatë mandatit të dytë si president i vendit.

Ish-Sekretarja Hillary Clinton ka premtuar se do të bëjë ligje të rrepta për kontrollin e armëve, teksa Trump ka hedhur poshtë këtë ide si një shkelje të panevojshme të të drejtave të pronarëve të armëve, duke u shprehur që secili do të jetë më i sigurt nëse qytetarët pajisen me armë.

“U zgjuam me lajme tragjike nga Florida”, shkroi Clinton, duke shtuar se mendimet e saj janë me të gjithë ata që janë prekur nga ky akt i tmerrshëm.

Edhe rivali i saj demokrat, Bernie Sander,s gjatë një prononcimi për NBC tha se duhet të ketë një kontroll më të madh të armëve ne vend.

“Unë besoj se në këtë vend nuk duhet shiten armë automatike të cilat janë të dizajnuara për të vrarë njerëz. Dhe ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi që armët të mos përfundojnë në duart e njerëzve të gabuar, si kriminele apo persona me probleme mendore”, tha Sanders.

Ngjarja ka tronditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka hapur më shumë se kurrë debatin e lirisë së blerjes dhe përdorimit të armëve.