Site icon Telegrafi

Ngjarje e rëndë në Kanada, humbin jetën shqiptarët babë e bir në një aksident trafiku

Fatos Metko dhe gruaja e tij Maralba

Një tragjedi e rëndë  ka goditur një familje shqiptare në Kanada derisa ata ishin në udhëtim e sipër.

Në tragjedinë e cila pati katër të vdekur dhe disa të plagosur rëndë, ishin edhe dy shqiptarët që jetonin në Calgary të Kanadasë.

Fatos Metko, 45 vjeç, dhe djali i tij Fioralb Metko, 14 vjeç, vdiqën kur automjeti i tyre në lëvizje goditi një kafshë, pastaj u përplas me një automjet tjetër që po vinte përballë.

Nga ky aksident gruaja e shqiptarit, Maralba dhe vajza e tij Brianna pësuan lëndime të rënda.

Fatosi punonte si kuzhinier në “Broken Plate Kitchen and Bar” në WilloW Park për më shumë se nëntë vjet, sipas bashkëpunëtorit Ervin Bushi.

Bushi, i cili ka punuar bashkë me të për tetë vite, tha se Fatosi ishte më punëtori nga të gjithë.

“E gjitha çka duhet të bëje shihte t’i kërkoje atij ndihmë, ai kurrë nuk thoshte jo, ishte një punëtor shembull për të gjithë ne”, tha Bushi.

“Ai dhe gruaja e tij, të dy ishin punëtorë të denjë, që punojnë çdo ditë në industrinë e restoranteve, me të vërtetë ata u përpoqën t’u jepnin fëmijëve më të mirën. Është e rëndë ta shohësh atë të shkojë ashtu”, tregon me tej shqiptari.

Bushi gjithashtu e njihte Fioralbin, djalin e Fatosit, përcjell Telegrafi.

“Ai ishte shumë i respektueshëm. Ai i pëlqente shumë sportet”, tha Bushi.

Dy të vdekur mbetën edhe nga vetura tjetër me të cilën u përplas shqiptari.

Në momentin e aksidentit familja shqiptare po udhëtonte drejt Ontarios, për të parë mundësinë e zhvendosjes atje.

“Ata kanë shumë të afërm në Miçigan të SHBA-së, kështu që ai donte të shkonte në Ontario në mënyrë që ai të ishte më afër tyre”, tha Bushi.

Përmes një deklarate, Shoqata Shqiptaro-Kanadeze e Calgary tha se po punojnë për të mbledhur fonde për familjen./Telegrafi/

Exit mobile version