Policia ka arrestuar në Fier një 56-vjeçar pasi trafikoi në Shqipëri një automjet tip “Volkswagen”, të cilin e kishte marrë me qira një javë më parë, në Kosovë.
Pas arrestimit të shtetasit B.K., automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i Policisë:
Fier/Finalizohet operacioni policor i koduar “Illegal”, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me shërbimet e Policisë së Kosovës. Trafikoi në Shqipëri, një automjet tip “Volkswagen” të cilin e kishte marrë me qira një javë më parë, në Kosovë, arrestohet 56-vjeçari. Sekuestrohet automjeti.
Menjëherë pas shkëmbimit të informacioneve, ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Kosovë, për një rast të trafikimit në vendin tonë, të një automjeti që ishte marrë me qira, një javë më parë, në Kosovë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Fier, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Illegal”.
Në kuadër të operacionit, u bë sinjalizimi i vendndodhjes së automjetit tip “Volkswagen”, si dhe ndjekja dhe vënia në pranga e drejtuesit të tij, shtetasit B. K., 56 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Mashtrimi”. /Telegrafi/