Telegrafi

‘Më tradhtuan dhe më braktisën’, Nainggolan: Hoqa dorë nga shumëçka për të qenë te Cagliari

Radja Nainggolan ndihet i tradhtuar dhe i braktisur nga Cagliari pas ndërprerjes së kontratës me Interin, ashtu që vendosi të kthehej në Belgjikë te Royal Antwerp.

Mesfushori kishte pritur disa muaj që dy klubet të merreshin vesh, ndërsa në fund e ndërpreu kontratën me Nerazzurrët me pëlqim reciprok.

Pastaj pritej që ai t’i bashkohej Cagliarit, mirëpo në vend të kësaj, ai përnjëherë ndërroi mendje dhe nënshkroi për Antwerp.

Lexo po ashtu Nainggolan pas prezantimit te skuadra belge: Nuk kam ardhur për para, por për relaks

“Cagliari ishte prioriteti im, hoqa dorë nga shumë para për ta zgjedhur atë dhe akoma… Presidenti Tommaso Giulini dhe drejtori sportiv Stefano Capozucca, pasi e kuptuan çfarë doja, u zhdukën. Ata më braktisën”, ka deklaruar Nainggolan për gazetën Unione Sarda.

(Foto: Instagram/royal_antwerp_fc)

33-vjeçari kishte luajtur në tri periudha te Cagliari, 2010-2014, 2019-2020 dhe pastaj sërish nga janari i vitit 2021.

“Ata më tradhtuan, më braktisën. Unë hoqa dorë nga shumëçka për ta veshur fanellën e Cagliarit, por e kuptova se nuk donin vërtet të mbështeteshin tek unë. Ata thjesht menduan se do të kthehesha me çdo kusht”.

“E kam dëshmuar dashurinë time për Cagliarin. Fatkeqësisht, njerëzit harrojnë shpejt në futboll”, ka rrëfyer tutje Nainggolan. /Telegrafi/

(Foto: Instagram/royal_antwerp_fc)