Nuk harrohen replikat e shkëmbyera midis Recep Tayyip Erdoganit, asokohe kryeministër i Turqisë, dhe presidentit izraelit, Shimon Peres në Forumin Ekonomik Botëror 2009. Të dy i hynë një debati të ashpër rreth sulmeve ajrore izraelite në Gazë. Erdogani u largua nga foltorja pasi mori në mbrojtje çështjen palestineze. Në Turqi kjo sjellje e tij u prit me entuziazëm. Komentuesit e panë si një përpjekje për të ekuilibruar gjendjen shpirtërore në vendet arabe.
Përgëzime pas kësaj përplasjeje ai nuk mori vetëm në Turqi. Dy javë pas saj u bë qytetar nderi i Teheranit, kryeqyteti i Iranit shiit. Në këndvështrimin fetar, Irani nuk ka asnjë lidhje me palestinezët sunitë, por ai është armik i përbetuar i Izraelit. Regjimi radikal i Iranit vazhdon të mohojë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar si shtet dhe kërcënon rregullisht me asgjësimin e tij.
Dëshira e Erdoganit – ndërkohë President – për ta bërë Turqinë një lojtar të fortë në rajon, për të mos thënë një fuqi botërore, ka mbetur e pandryshuar deri më sot. Disa javë më parë, kur kisha Aja Sofia – dikur më e madhja në botë, u shndërrua përsëri në xhami, me nxitjen e Erdoganit, kleriku i me i lartë i Turqisë sunite (në të vërtetë laike), foli me një shpatë në dorë – simbol i Perandorisë Osmane – për një dimension të ri. Kjo nuk u mbyll me Aja Sofinë, ndërkohë edhe një kishë tjetër në Stamboll është kthyer në xhami.
Por, tani fantazive për t’u bërë fuqi e madhe po u vjen fundi. Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë arritur një marrëveshje që normalizon marrëdhëniet midis dy shteteve. E para dhe kryesorja është se kjo marrëveshje shërben për të izoluar Iranin dhe organizatën e tij terroriste, Hezbollah, qe kanë destabilizuar të gjithë rajonin në vitet e fundit. Marrëveshja zyrtare, e cila pritet të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë, e izolon presidentin turk Erdogan, i cili donte ta vendoste veten si hegjemon dhe shenjt mbrojtës i botës arabe dhe tani nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të mallkojë arabët si tradhtarë që kanë lënë në baltë vëllezërit e motrat e tyre palestinezë.
Erdogani, i cili në fillim deklaroi se Turqia mund të bëjë gjithçka që dëshiron në politikën e jashtme dhe nuk varet nga askush, i ka bërë llogaritë gabim. ShBA është ende fuqia e vetme botërore që mund të bëjë një ndryshim në këtë rajon. Në fund të fundit, fituesi i fshehtë nga miqësia e re midis Izraelit dhe Emirateve nuk është askush tjetër përveç presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Ai tërhoqi vijën e tij të ashpër kundër Iranit dhe tani mund të dalë me një sukses në kohë për datën e zgjedhjeve në nëntor. As paraardhësi i tij Barack Obama dhe as aktorë të tjerë si Bashkimi Evropian nuk e arritën një gjë të tillë.
Në ankesën e zhurmshme të Ankarasë rreth vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Emirateve dhe Izraelit, Erdogani duket se e ka harruar plotësisht se Turqia ishte vendi i parë ndër fqinjët e Izraelit që vendosi marrëdhënie diplomatike me shtetin e ri në vitin 1949. Në atë kohë Turqia ishte ende laike dhe nuk kishte ndërmend të ngatërrohej në konfliktet e mbingarkuara të besimit dhe të feve në rajon. Si partnere e NATO-s, ajo ka qenë gjithashtu pjesë integrale e Aleancës Perëndimore që nga viti 1952.
Kursi islamizues i Erdoganit po rrezikon që vendi të humbasë aleatët në arenën ndërkombëtare. Kjo me të vërtetë do të ishte një tradhti: domethënë, ndaj kauzës së Ataturkut dhe ndaj 40 milionë turqve, pra pothuajse gjysmës së popullsisë, që nuk votuan për Erdoganin. /DW/