Për herë të dytë në Kosovë është duke u mbajtur panairi i veturave “Prishtina International Autoshow”, në të cilin janë duke marrë pjesë 23 brende me modelet e tyre më të reja.
Panairi do të jetë i hapur deri me datën 5 maj, duke filluar nga ora 09:00 deri në 20:00.
Fatlum Mexhuani menaxher i shitjes në Toyota Kosovë, tha se në panair janë duke bërë prezantimin e tetë veturave.
“Jemi duke prezantuar tetë vetura si Yaris, Corolla, Sedan Rav4 e të tjera. Shumica e veturave janë më sistemin më të sofistikuar në botë sa i përket djegies së brendshme hibridit, që në Toyota është nga viti 1997. Sistemi hibrid përveç shpenzimeve të ulëta ka mirëmbajte më të ulët se sa motorët me djegie të brendshme, kjo e bënë sistemin më të pëlqyer për momentin”, theksoi Mexhuani për Telegrafi.
Ai shtoi se deri më tani janë shitur rreth 10 milionë njësi të hibridit në botë. Gjithashtu ai tha se e sheh një të ardhme të ndritur të këtyre veturave në Kosovë.
Sipas tij, tani është koha e duhur që të investohet në vetura hibride.
Të pranishëm gjatë hapjes së panairit ishin ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Panairi organizohet nga Shoqata e Importueseve të Autorizuar të Automjeteve të Reja (SHIAR) në bashkëpunim me kompaninë për organizim të evenimenteve “MODUS”, si dhe mbështetet edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë./Telegrafi/