Afrim Tovërlani e ka nisur për mrekulli punën si trajner i Feronikelit.
Kampioni në fuqi i Kosovës ka marrë një fitore të lehtë në shtëpi përballë Vushtrrisë me rezultat 2-0.
‘Industrialstët’ shënuan në të dyja pjesët nga një gol për tri pikët e para nën udhëheqjen e trajnerit Tovërlani.
Vetëm pas 17 minutave lojë ndeshja u zhbllokua kur realizoi qendërmbrojtësi Ilir Berisha me kokë për 1-0.
Me epërsinë minimale 1-0 të vendasve përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Nikli shënoi golin e sigurisë në minutën e 68-të, kur realizoi Mevlan Zeka pas asistimit të Jean Cariocas.
Vendasit patën mundësi të artë të shënonin për 3-0, por Mendurim Hoti dështoi nga pika e bardhë.
Deri në fund Nikli kishte edhe disa mundësi të mira shënimi me Zekën, Dabiqajn e Islamin, por që rezultati mbeti ai i minutës së 68, 2-0.
Me këtë fitore Feronikeli ngritët në pozitën e pestë në tabelë me 34 pikë, në anën tjetër Vushtrria mbetet e parafundit në tabelë me vetëm një 16 pikë. /Telegrafi/