Telegrafi

Tottenham kërkon transferimin e Dumfries, i ofron Interit shërbimet e anësorit brazilian

Denzel Dumfries ishte pranë largimit nga Interi, por në fund Neroazzurët refuzuan të gjitha ofertat për të.

Megjithatë qëndrimi i holandezit në Inter nuk është ende i sigurt, pasi për lojtarin ka interesim të vazhdueshëm nga skuadrat e mëdha.

Antonio Conte e pëlqen shumë anësorin dhe do të tentojë transferimin e tij në Tottenham qysh në afatin kalimtar të janarit.

Calciomercato ka raportuar se Spurs po synojnë qysh në janar të dërgojnë një ofertë në drejtim të Interit për anësorin.

Vlera e Dumfries sillet rreth 50 milionë euro dhe për të ardhur deri te ai Spurs janë gati të përfshijnë edhe një futbollist për të.

Conte nuk e do shumë brazilianin Emerson Royal dhe është gati ta përfshijë në ofertë në drejtim të Interit.

Londinezët janë gati të ofrojnë 25 milionë euro për Dumfries dhe shërbimet e Emerson Royalit.

Mbetet të shihet nëse Inter do ta pranojë këtë ofertë pasi Dumfries është një nga futbollistët më të rëndësishëm të trajnerit Inzaghi. /Telegrafi/