Christian Bale është i njohur për rolet e ndryshme, shumë prej të cilëve kanë kërkuar transformime fizike, të cilat ky aktor i ka marrë shumë seriozisht, duke humbur dhe duke shtuar kilogramë të shumtë – varësisht nga karakteri që e ka luajtur.
Roli i parë i rëndësishëm i yllit anglez ishte në vitin 1987 në realizimin fantastik “Mio in the Land of Faraway” si 13 vjeçar, mirëpo ai u bë i njohur me portretizimin e Jim Graham në filmin e Steven Spielbergut, “Empire of the Sun”.
Roli që mori lëvdata të shumta ishte ai i Patrick Bateman “American Psycho” (2000) që shënoi fillimin e një karrierë të shkëlqyer, e cila vazhdon sot e kësaj dite dhe është e mbushur me plot transformime fizike që dëshmon përkushtimin e madh te aktorit për punën e tij.
Faqja Metafix ka bërë listën e të gjitha filmave, në të cilët Bale është dashur ta ndryshonte dukjen, ndërsa rezultatet janë mbresëlënëse.
Për rolin në “Little Women” ka shtuar pesë kilogramë masë trupore (nga 81 në 86 kilogramë). Pason ndryshim drastik për filmin e vitit 2004, “The Machinist”, ku peshonte vetëm 55 kilogramë. Më pas kishte vetëm gjashtë muaj që të shtojë në peshë për t’u kthyer në peshën normale për rolin e Batmanit.
Fillimisht arriti peshë prej afro 100 kilogramësh, mirëpo më pas iu desh të humbte sërish kilogramë për të rënë në 86 kilogramë për shkak të kërkesave të studios.
Në radhë ishte “The Prestidge” kur e uli peshën në 61 kilogramë, pastaj i shtoi 20 kilogramë për rolin në “The Dark Knight”. Për rolin e tij në filmin “Terminator Salvation” ra në 79 kilogramë dhe më pas i humbi edhe 14 kilogramë të tjerë për të luajtur në “The Fighter”.
“American Hustle” shënoi një tjetër transformim të Bale kur peshonte rreth 104 kilogramë, peshë e përafërt me atë në filmin “Vice”.
Ndërsa së fundmi, për nevojat e filmit “Ford v Ferrari”, ai ka rënë në peshën prej 77 kilogramësh.
Shumë nga këto të dhëna dallojnë paksa nga një burim prej tjetrit, mirëpo në total, sipas Metafix, Bale ka shtuar dhe ka humbur rreth 277 kilogramë, ndërsa ky numër pritet të rritet në të ardhmen.
Edhe pse shpesh i është thënë se nuk ka nevojë të bëjë ndryshime në fizikun e tij, pasi që kilogramët mund të ndryshohen me ndihmën e mjeteve prostetike dhe makijazhit, por ai gjithmonë zgjedh rrugën më të vështirë, sepse dëshiron ta kryejë punën si duhet. /Telegrafi/