Telegrafi

Tornadot shkatërruan gjithçka që u doli përpara në Oklahoma

Një stuhi masive ka goditur shtetin amerikan të Oklahomës, duke tërhequr pas vetes dhjetëra tornado të fuqishme, shi të rrëmbyeshëm dhe vranësira të papara.

Të dielën e kaluar e deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, disa tornado shkaktuan dëme të mëdha materiale, por për fat deri më tani nuk raportohet për të lënduar apo të vdekur, transmeton Telegrafi.

Stuhia e fuqishme e përcjellë me shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta preku Arkansasin, Kansasin, Missouri dhe Teksasin, e prognozat paralajmërojnë mot të ligë edhe ditëve në vazhdim në pjesët qendrore të SHBA-ve.

Në videot e transmetuar nga televizionet lokale, shihen shtëpi të shkatërruar që ishin “viktima” të tornadove, e sirenat u ndezën duke paralajmëruar për rrezikun potencial të tornadove tjera në Oklahoma.

Shërbimet meteorologjike po tentojnë të konstatojnë numrin e saktë të tornadove që kanë “shëtitur” nëpër Oklahoma. /Telegrafi/