Telegrafi

Topi i Euro 2024 do të përfshijë një ‘mikroçip’ për të identifikuar prekjet me dorë dhe pozitat jashtë loje

Topi zyrtar për Euro 2024 raportohet se do të përfshijë një ‘mikroçip’ i cili do të identifikojë prekjet e topit me dorë dhe pozitat jashtë loje.

Për gjatë sezoneve të fundit, prekjet me dorë dhe pozitat jashtë loje kanë qenë dy gjëra që janë diskutuar më së shumti në mesin e komunitetit sportiv.

Tani para zhvillimit të turneut në Gjermani, është raportuar se topi i Adidas do të përfshijë një teknologji të re.

“Mikroçipi do të funksionojë së bashku me teknologjinë e gjurmimit të gjymtyrëve që mundëson krijimin në kohë reale të paraqitjeve vizuale 3D të skeleteve të lojtarëve”, ka thënë një burim i The Times.

“Këto paisje i lejojnë VAR-it që të krijojnë një imazh kompjuterik që tregon saktësisht se ku topi ka goditur trupin”.

“Mikroçipi brenda topit të Adidas do të lejojë teknologjinë të përcaktojë kohën e saktë kur topi ishte goditur, e cila, së bashku me kamerat e gjurmimit të gjymtyrëve, do të dhurojë vendime jashtëzakonisht të sakta për pozitat jashtë loje”.

Raporti gjithashtu shton se gjyqtarët të cilët e kanë parë teknologjinë e re në aksion kanë mbetur të mahnitur nga niveli i saktësisë.

Kujtojmë se Euro 2024 do të zhvillohet në qytete të ndryshme të Gjermanisë nga 14 qershori deri më 14 korrik, ndërsa finalja do të zhvillohet në Berlin./Telegrafi/