Site icon Telegrafi

Topi i Artë nuk do të jepet për vitin 2020

(Foto: Octavio Passos/Getty Images/Guliver)

Organizatori i Topit të Artë, Group L’Equipe – pronë e të cilit është France Football – ka vendosur të mos e ndajë çmimin prestigjioz individual, Topi i Artë, për vitin 2020.

Pandemia e COVID-19, pezullimi i futbollit dhe pamundësia e zhvillimit të një edicioni normal, i ka shtyrë organizatorët që ta anulojnë ndarjen e çmimit për këtë vit.

“Për herë të parë që nga viti 1956, Topi i Artë do të bëjë pushim. Nuk do të ketë edicion në vitin 2020, sepse pas një analize të mirë, nuk janë plotësuar kushtet për t’u bërë diçka e tillë. Besojmë se një vit i tillë nuk duhet dhe nuk bën të trajtohet si një vit i zakonshëm”, thuhet në njoftimin zyrtar.

(Foto: Octavio Passos/Getty Images/Guliver)

Më tej, përmenden muajt kur nuk u zhvillua futbolli, si edhe ndryshimet në formatet e ligave vendore, kupave dhe ligave ndërkombëtare – e gjitha si pasojë e krizës së coronavirusit.

Ky vendim, sipas njoftimit, është marrë për të ruajtur kredibilitetin dhe legjitimitetin e këtij çmimi prestigjioz. Në ndërkohë, çmimi i madh pritet të ndahet në vitin 2021 kur gjithçka të kthehet në normalitet. /Telegrafi/

Exit mobile version