Telegrafi

Top golashënuesi, Genc Hamiti, rrëfen për gjysmë-sezonin më të mirë të karrierës, konfirmon bisedimet me Ferronikelin

Një nga sulmuesit më të mirë të Superligës në sezonin 2017/2018, Genc Hamiti, ka kohë që po spekulohet për një transferim te ish-kampioni, Ferronikeli.

Hamiti ka qenë pjesë e mediave të ndryshme kosovare ku është spekuluar për një tranferim të tij te Ferronikeli, pas një gjysmë sezoni shumë të mirë me Drenicën, përkundër vështirësive të klubit në udhëheqje.

Për Telegrafin, top golashënuesi i këtij edicioni flet për herë të parë për atë që konsideron gjysmë-sezonin më të mirë të tij në karrierë statistikisht, por ai nuk nguron të tregohet modest kur vë arritjet me Drenicën para suksesit të tij individual.

“Personalisht mendoj që si ekip Drenica meriton një notë të lartë sa i përket rezultateve që i ka arritur dhe lojës së mirë, fer dhe luftës brenda fushës. Në aspektin individual që vjen gjithmonë në radhë të dytë për mua, jam i lumtur që kam mundur t’i ndihmoj Drenicës dhe të performoj për ta ndoshta gjysmë-sezonin më të mirë të karrierës time, sidomos në aspektin statistikor”.

“Unë kam marrëveshje me Drenicën deri më 31 dhjetor të këtij viti dhe me qenë se tashmë ka muaj që Drenica nuk udhëhiqet nga askush është joseriozitet i madh dhe besoj se askush prej lojtarëve dhe stafit nuk e meriton këtë trajtim, sidomos pas këtyre sukseseve”, thekson Hamiti kur flet me emocione për stinorin vjeshtor të tij te Drenica në mesin e shumë problemeve që kanë kapluar klubin nga Skënderaji.

Kur flet për golin më të mirë të tij, ai nuk e fshehë kënaqësinë që i ka shënuar kampionit, por emocione të veçanta ai ka parë në sytë e tifozëve për golin e shënuar në çastet e fundit ndaj Lirisë.

“Goli më i bukur mendoj që është ai i shënuar kundër Trepçës 89, por ai që e kemi shijuar më së shumti ka qenë goli kundër LIrisë në minutën e 93-të, ku kam parë lot në sytë e shumë njerëzve. Vërtet kënaqësi dhe emocion i jashtëzakonshëm, një moment që do ta kujtoj përherë”, shton ai.

Hamiti ka refuzuar të flasë për mediat rreth të ardhmes së tij. Por, për Telegrafin, ai konfirmon për herë të parë se është takuar me drejtues të Ferronikelit dhe ka aluduar se mund të ketë një akord shumë shpejt.

“Me krerët e Ferronikeilt dhe kryetarin Lladrovci kami pasur takim. Jam ndarë i kënaqur me kushtet dhe seriozitetin e shfaqur sidomos nga kryetari Lladrovci, por ende nuk jam zyrtarisht lojtar i Ferronikelit. Ende nuk kam firmosur. Konkurrenca e shëndoshë është gjëja që e rritë dhe e persos më së shumti një lojtar në aspektin profesional. Andaj, mirëpres konkurrencën si në ekip, ashtu edhe në kampionat”, përfundoi sulmuesi.

Drenica që tash është pa udhëheqësi ka 28 pikë në vendin e gjashtë, vetëm gjashtë pikë prapa vendit të parë, Llapit.

Ndërkaq, Genc Hamiti është top golashënuesi i këtij edicioni në Superligë me nëntë gola, po aq sa ka edhe Mirlind Daku i Llapit. /Telegrafi/