Që nga mosha pesë vjecare u bënë bashkë dhe nuk tradhtuan njëri-tjetrin për 17 vjet.
Dashuria e tyre po jep frytet kur ky djalosh tash është 22-vjec. Aktualisht futbolli po ia jep atë që e meriton, Meriton Korenica.
Dikur prej talenteve më të mëdhenj në Kosovë, sot prej lojtarëve më premtues dhe cilësor në Superligë.
Për futbollistin e Prishtinës, gjithçka filloi në lagjen e tij, të cilën e kujton me shumë nostalgji.
Sigurisht momentet interesante të asaj kohe nuk kanë munguar as te shoqëria e Meritonit.
Se ka vendosur që të mos ndahet nga sporti më magjik në botë, futbolli, e vërteton qendra rekreative e tij në Rahovec që quhet “Toni Sport”, e cila është në pronësi të prindit të tij.
Të hysh aty, nuk mund të shohësh gjë tjetër, veçse një ambient shumë të këndshëm sportiv, të mbushur me trofe e fotografi.
Në rrugëtime të tilla të duhet një krah i djathtë që në rast se të thyhet i majti, të gjesh forcë për t’u mos u dorëzuar. I tillë për Korenicën ishte trajneri i njohur, Fadil Vuqitërna.
Kështu, erdhi koha që Meritoni të bënte një hap më shumë. Ishte shumë i ri kur debutoi me ekipin e parë të Rahovecit.
Besimin që ia dha trajneri Vuqitërna, Korenica e shpagoi në mënyrën më të mirë të mundshme. U bë prej lojtarëve kryesor të skuadrës që pas një viti hyri në Ligën e Parë.
Më pas Toni vendosi ta lë futbollin kosovar, për t’u transferuar te skuadra e madhe shqiptare e Maqedonisë, Shkëndija e Tetovës. Luajti edhe për Metallurgën e Shkupit, por përsëri u kthye në vendlindje.
Kësaj radhe, iu bashkua Lirisë së Prizrenit, ekip me të cilën shkëlqeu në Superligë, sidomos në sezonin e tij të dytë ku edhe ishte kapiten, barrë të cilën ia besoi trajneri nga Shqipëria, Bledi Shkëmbi. Megjithatë rikthimin në Kosovë nuk e pati aq të lehtë.
Pas Shkëmbit, ishte një tjetër trajner nga Shqipëria që e pëlqente tej mase stilin e Korenicës. Numri një i shtabit teknik të Prishtinës, Mirel Josa shprehu dëshirën për ta pasur Meritonin në skuadrën që ai drejton. Për futbollistin nga Rahoveci, pati shumë oferta nga klube të ndryshme, por e parefuzueshme ishte ajo e kryeqytetasve.
Me Prishtinën, Korenica debutoi si në ëndrra, duke shënuar super-gol në garën e dytë më të rëndësishme për klube, Ligën e Evropës.
Paraqitjet e mira të Meritonit me bardhekaltërt nga kryeqyteti sigurisht kanë rënë në sy edhe të klubeve në Evropë.
Ish-reprezentuesi i Kosovës U-19 dhe U-21, shpreson që një ditë ta realizojë ëndrrën e tij të kamotshme, të mbrojë ngjyrat e Kombëtares A./RTV Dukagjini. /Telegrafi/