Sandro Tonali ka thyer një sërë rekordesh të transferimeve, pas kalimit nga Milani te Newcastle United që u konfirmua mëngjesin e të hënës.
23-vjeçari është bërë futbollisti më i shtrenjtë italian në histori. Transferimi i tij besohet të ketë kushtuar 70 milionë euro plus 10 milionë të tjera në formë bonusesh. Në këtë mënyrë e ka tejkaluar çmimin e Jorginhon kur u transferua nga Napoli te Chlesea për 57 milionë euro në vitin 2018.
Mesfushori është edhe shitja më e shtrenjtë në histori të Milanit duke thyer rekordin e Kaka, i cili në vitin 2009 kaloi te Real Madridi për 67 milionë euro.
Tonali është bërë njëherësh transferimi më i shtrenjtë në histori të Newcastle duke tejkaluar rekordin e transferimit të Alexander Isak nga Real Sociedadi, i cili në total ka kushtuar 70 milionë euro (çmimi plus shtesat dhe bonuset).
Italiani është bërë shitja e pestë më e shtrenjtë nga Serie A, pas Romelu Lukaku (nga Interi te Chelsea), Paul Pogba (nga Juventusi te Manchester Unitedi), Gonazlo Higuain (nga Napoli te Juventusi) dhe Zinedine Zidane (nga Juventusi te Real Madridi). /Telegrafi/