Siç raporton Marca, autoritetet italiane po përgatiten të konfirmojnë një ndalim dhjetëmujor për përfshirjen e Sandro Tonalit në baste të paligjshme.
Ekipi i tij ligjor ka qenë në bisedime me prokurorët dhe federatën e futbollit për të arritur një marrëveshje, e cila është pothuajse e finalizuar.
Megjithatë, njoftimi zyrtar i pezullimit nuk ka gjasa të vijë përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve të Newcastle kundër Borussia Dortmund në “St’ James Park”.
Kjo do të thotë që Tonali do të jetë në dispozicion të Eddie Howe për atë lojë dhe çdo pezullim do të hyjë në fuqi ditën tjetër.
Gjatë pezullimit të tij, Tonali do të lejohet të stërvitet me skuadrën. Ky ndalim pritet të zgjasë deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm, duke bërë që ai të humbasë Euro 2024 dhe javët e para të sezonit të Ligës Premier.
Raportet nga Italia sugjerojnë se mund të ketë një klauzolë në kontratën e Tonalit me Newcastle që i jep klubit të drejtën të mos paguajë pagën e tij gjatë ndalimit. /Telegrafi/