Avokati Tomë Gashi ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do ta nënshkruajë asnjëherë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.
“Kurti asnjëherë në jetën e tij nuk e nënshkruan një Asociacion si i vitit 2013 me kompetenca ekzekutive, sepse po ta nënshkruajë e shkel Kushtetutën”, tha ai.
Tutje, Gashi foli edhe për policët serbë, të cilët kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, ku tha se nuk duhet të kthehen përsëri në vend të punës.
Ai në “Five”, tha se nëse arrihet një marrëveshje politike ku kërkohet kthimi i tyre, duhet që ata të hyjnë në filtra të AKI-së.
“Këta 500 apo 600 policë serbë që kanë dhënë dorëheqje dhe gjyqtarë dhe prokurorë serbë, nuk duhet t’i lejojmë të kthehen kurrë. Nëse bëhet një marrëveshje politike, duhet të kalojnë në filtra, t’ua marrin dosjet AKI-ja”, tha ai në RTVD.
Tutje, Gashi tha se shteti duhet t’i shohë opsionet që Lista Serbe të ketë sa më pak ndikim në komunat veriore të Kosovës.
“Duhet të shihen opsionet që Lista Serbe të ketë sa më pak ndikim atje, do të donim të mos kishin fare. Konjufca e tha fillimisht a do të certifikohet Lista Serbe, gjërat nuk janë aq të përshpejtuara siç i kërkon Macron, me gjithë dëshirë do të donim të mos ketë përsëritje të zgjedhjeve, por të mos lejojmë që t’i respektojmë dëshirat e Listës Serbe”, tha ai.
Procesi i zgjedhjeve në veri, sipas Gashit, duhet të bëhet në mënyrë ligjore, e jo sipas kërkesave të Beogradit.